François-André Vincent – Zeuksi duke zgjedhur modelin për portretin e Helenës, 1789

François-André Vincent (1746-1816) – Zeuksi duke zgjedhur modelin për portretin e Helenës, ndër vajzat e Krotonës, 1789

(s. guraziu – ars poetica, 2019 – koment, art klasik)
Helena e Trojës (e njohur dhe si Helena e Spartës) nga grekët konsiderohej gruaja më e bukur në botë. Ajo do bëhej shkaktarja e “pafajshme” e Luftës së Trojes. E pafajshme… pasi gjithë fajin ashtu-kështu përherë e kishin perënditë dhe perëndeshat. Të gjitha fajet në fakt do mund t’i merrte përsipër perëndesha Erisa, përëndesha e sherreve dhe e ngatërresave. Asaj mund t’i vishen “fajet” e gjithë trazirave të njerëzimit, e edhe faji për Luftën e Trojës. Erisa e pati përdorur një “mollë sherri” dhe tragjedia trojane do ishte e pashmangshme. Hyjnorët përziheshin sepse ashtu “zbaviteshin”, atëbotë s’kishin as Hollivud as filmash “Netflix”, andaj zotat i ngatërronin si mos më keq aferat e njerëzve dhe të mbretërive : )

Sipas grekëve, bukuria e Helenës ishte e paarritshme. Bukuria e asnjë femre tjetër s’mund të krahasohej me bukurinë e saj. Artisti i famshëm grek Zeuksi, pasi qe porositur ta pikturonte një portret të bukuroshes Helena (për Tempullin e Jupiterit në Krotonë), duhej t’i zgjedhte tiparet e bukurisë, duhej t’i seleksiononte karakteristikat më të përsosura ndër 5 bukuroshet më të famshme të qytetit. Për 1 Helena duhej “kopjuar” bukuria e 5 femrave të tjera. Aq e bukur na ishte dikur Helena, s’kishte vajzë të vetme që t’i afrohej. Rrëfimi piktural rreth Zeuksit për zgjedhjen e pesë modeleve është “referencë” nga shkrimet e Ciceronit.

Helena qe bërë gruaja e Menelaut, mbretit të Spartës. Mirëpo Afërdita (perëndesha e Dashurisë) do t’ia premtonte Helenën Parisit (princit trojan, djalit të mbretit Priam). Perëndesha dëshironte ta “shpërblente” Parisin, sepse ky pati “gjykuar” për Afërditën të jetë më e bukura ndër perëndeshat (“Gjykimi i Parisit”).

Pra “dashuria e merituar” e Parisit qe mundësuar me “magjinë” e Afërdites. Helena ashtu-kështu kishte afera e dashuriçka tinëz me Parisin, por një ditë, derisa Menelau s’ishte në “shtëpi”, Parisi e bindi atë të ikte së bashku me të në Trojë.
Me “vjedhjen” e Helenes, me rrëmbimin e vetë gruas së mbretit… nderi spartan ishte njollosur e katranosur, Sparta qe fyer e poshtëruar sa s’ka më. I vëllai i Menelaut, Agamemnoni do e niste një ekspeditë luftarake kundër Trojës për ta rikthyer Helenën dhe nderin e Spartës në vendin e vet. Ky do ishte fillimi i Luftës së Trojës (për të cilën na rrëfen Homeri në “Iliadën”). Sipas rrëfenjës homerike, pas 10 vjet luftë grekët më në fund e pushtuan Trojën, dhe Helena qe kthyer përsëri në Spartë.